Me arbëreshët në Molise dhe Kalabri - nga Mal BERISHA, ish Ambasador shqiptar në Londër

Dëshira për t’i parë, njohur nga afër, biseduar, shkëmbyer mendime me bashkëatdhetarët tanë jashtë vendit, qofshin këta të afërt apo të largët, të larguar heret apo vonë nga atdheu, besoj se është ndjenjë e fortë e çdo shqiptari. Por kur puna vjen tek arbëreshët, atë pjesë aq të rëndësishme të kombit tonë, ndjenja bëhet edhe më e fortë. Është ndjenjë kureshtje, respekti, malli. Është dashuri dhe pse jo edhe detyrim ndaj tyre, si njerëz të gjakut tonë që na e ruajtën traditën ndër shekuj ndonëse në vend të huaj. Ishin këto arësyet e shumë udhëtimeve në viset ku shqiptarët kanë lënë gjurmët e tyre e vëçanërisht tek arbëreshët e Italisë. Si është formësuar kjo dëshirë?

47 vjet më parë në Gjimnazin “Ismail Qemali” në Laç

47 vjet më parë, në një ditë shtatori të vitit 1969 hyri në klasën tonë mësuesi i letërsisë z. Asllan Bami. Ai sapo kishte kryer studimet për gjuhë – letërsi. Mësues Asllani sillte me vete jo vetem një entusiazëm të pashoq, por edhe një metodë krejt origjinale të mësimdhënies. Pasioni i këtij mësuesi ishte i lidhur me letërsinë shqipe dhe veçanërisht me De Radën. Prej tij mësuam për veprën e De Radës, Fshatin Maki ku kishte lindur, kolegjin e zëshëm të Shën Adrianit në Shën Mitër Koronë, Milosaon, Fjamurin e Arbërit, Këngët e Serafina Topisë, Skënderbeun e Pafanë… Mësuam për jetën e tij të varfër dhe fatkeqësitë që i kishin ndodhur. Mësues Asllani jo vetëm na spiegonte jetën e De Radës, por ngjallte edhe një dashuri të pafund për të. Madje ai të mëkonte edhe dëshirën që një ditë të mund ta vizitoje vendin ku De Rada kishte lindur, rritur, shkruar, ndërruar jetë… Natyrisht atë kohë kjo do të ishte një ëndërr shumë, shumë e guximshme. Por a jetojmë në botën ku ëndërrat kthehen në realitet? Prej kohës kur rrugët u hapën, kontaktet me arbëreshët kanë patur një kuptim të caktuar madje shumë të madh.

Me Arbëreshin Amerikan Joseph DioGuardi në Stamboll

Në vitin 1995, si konsull i Shqipërisë në Stamboll, pata rastin të shoqëroja ish – kongresmenin amerikan, themelues dhe President i Lidhjes Qytetare Shqiptaro – Amerikane[1]. Ai udhëtoi drejt Stambollit për të lobuar për njohjen e Republikës së Kosovës nga shteti turk. Shoqëria “Vëllazëria Turko – Shqiptare” e sponsorizoi udhëtimin e tij dhe për disa ditë rrjesht ai bëri një punë të shkëlqyer për ndërgjegjësimin e autoriteteve turke mbi drejtësinë e shkëputjes së Kosovës nga Serbia dhe njohjen e këtij akti nga ana e shtetit turk. Ai në çdo takim theksoi origjinën e tij arbëreshe: “Unë jam arbëresh dhe më thërret zëri i të parëve të mi, të luftoj për kombin tim”, deklaronte kudo që vajtëm.

Në Ossining – New York

Në veri të New Yorkut, sapo kalon urën Tappan Zee mbi lumin Hudson gjëndet një fshat i quajtur Ossining. Pak vetë e dinë që në atë fshat gjëndet zyra e arbëreshit – amerikan, Joseph Diougardi, prej nga ka filluar përpjekja më e fuqishme për ta bërë çështjen e Kosovës një çështje të politikës së jashtme amerikane. Prej aty janë dhënë detyrat dhe orientimet për njohjen e kësaj çështje dhe janë formësuar lidhjet me senatorë si Bob Dole, kongresmenë si Tom Lantosh apo Ben Gilman e deri tek njerëzit më të fuqishëm të administratës, Kongresit dhe Senatit Amerikan. Aty pra e ka qendrën ajo që njihet me emrin Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, (LQSHA). Për një përiudhë më të gjatë se një vit, (1998 – 1999), nën instruksionet e Joseph DioGuardit punuam bashkarisht dhe intensivisht për ndërgjegjësimin e administratës amerikane për çështjen e Kosovës. Diogardi nga fshati Greçi[2], ishte një ndër luftëtarët më të mëdhenj. Këtë pasion ai ia atribuon pikërisht origjinës së tij arbëreshe dhe ndihmës që ka marrë nga shqiptarët për zgjedhjen e tij në Kongresin Amerikan.

Me arbëreshin Mikelanxhelo La Luna[3] në Rhode Island

Aty nga viti 2003, kur im bir Kreshniku studjonte në Universitetin Rhode Island në SHBA, më tregoi se merrte mësime të gjuhës italiane nga një arbëresh i quajtur Mikelanxhelo La Luna. Ky arbëresh fliste një shqipe të qartë dhe ishte nga Shën Mitër Korona, bash nga fshati arbëresh ku kishte dhënë mësim Jeronim De Rada, në Kolegjin e Shën Adrianit. Në atë kohë u takuam me profesor La Lunën dhe kaluam një darkë bashkë me tërë familjen time në qytetin Kingstoun në Rhode Island, ShBA. Folëm gjatë për horën arbëreshe, u kënaqëm dhe i premtuam njeri-tjetrit se nuk do harroheshim. Dhe kështu ndodhi. Herë pas here shkëmbenim mesazhe deri sa në këtë verë e lamë të shiheshim në Shën Mitër Koronën e De Radës dhe të tijën. Dhe ja tek u takuam në mesditën e 29 korrikut 2016, mu në qendër të fshatit ku jetonte vetë La Luna. Vizituam bashkë Kolegjin e Shën Adrianit. Por para se të vinte kjo ditë, shumë lidhje të tjera me arbëreshët do ta bënin vizitën aty një domosdoshmëri.

Udhëtime në botën shqiptare

Duke patur fatin të udhëtoj nëpër botë kam patur rastin të shoh vend-banime shqiptare – arnavute si dhe vende historike si p.sh. në Turqi, varrin i Sami Frashërit në Feritköy në Stamboll apo vendlindjen e Fan Nolit në Ibrik Tepe. Ato mbeten ndër momentet më emocionale.

Po aq emocionale është të takosh shqiptaro – arvanitasit në Greqi. Në Damask të Sirisë, në vitin 2010, kam takuar shumë “arnavutë” dhe mësova edhe se pesë mijë familje që mbanin të njejtin mbiemër, “Arnavutë”[4], jetonin aty. Të gjithë më origjinë shqiptare. Ishte po ashtu kënaqësi e veçantë të takoje shkrimtarin më të madh siriano – shqiptar – Abdyl Latif Arnavut i cili jipte këtë spiegim mbiemrit të tij dhe të shqiptarëve sirianë: – “Njerëz që e duan atdheun deri në vdekje, pavarësisht se ku gjënden”. Po këtë mendim ndante edhe profesori Muhamed Mufak Arnauti, nga Universiteti Al al-Bejt në qytetin e Mafrakut në Jordani. Të tillë ishin shqiptarët në Jordani, në Liban, krenar për Vaso Pashën dhe në Egjypt për Muhamet Aliun. Të soditësh portretin e tij në Kajro dhe në Londër ishte një prej kënaqësive që një shqiptar ndjen kur gjurmon emrat e njerëzve tanë të mëdhenj. Kur takon shqiptarë në vende të ndryshme, në Zvicër, ShBA, Itali, Francë, Britani, Gjermani, njihesh më mirë me vështirësitë dhe historitë e jetës së tyre. Të bashkëpunosh me Vatrën në New York, bje fjala, siç më është dhënë rasti mua, është si të jesh pjesë e historisë. Po ashtu të bashkëpunosh me Shoqërinë Anglo Shqiptare në Londër është vërtetë një kënaqësi dhe privilegj.

Historitë e bashkëatdhetarëve tanë janë shumë herë individuale, por shume herë ato janë edhe kolektive. Largime në grupe apo arratisje nga Shqipëria, dëbime masive nga Kosova, ngulime sporadike, vendosje në dhe të huaj, pa ditur çfarë i pret për tu shoqëruar nga hallet e jetës, gjuha e huaj, përshtatja, fëmijët, shkollimi i tyre, problemet ekonomike… Kështu ata dalë-ngadalë, si pa e kuptuar, rrëshqasin në honin e pakthyeshëm të asimilimit. Por a ndodhi kështu edhe me:

Arbëreshët e Italisë ?

Në tëra këto udhëtime jam munduar të rikrijoj në imagjinatën dhe fantazinë time skenat e zbarkimit të shqiptarëve të asaj kohe në vise të ndryshme të botës. Jam ndalur tek zbarkimet në tokat e Jugut të Italisë. Vuajtjet dhe mjerimet në atdhe, luftërat që zgjatën me dekada, vdekja e Skënderbeut dhe thyerja e rezistencës anti – turke, që i detyruan ata të lëshojnë atdheun e tyre. Kështu vjen eksodi, deti, zbarkimi në vendet e panjohura…”I shoh” tek zbresin të zënë nga deti, të lodhur, ndonjë edhe i vdekur gjatë udhëtimit; të brengosur nga dhimbjet për ata që lanë prapa të gjallë e të vdekur, të mbytur nga malli për shtëpitë dhe varret. Por jo vetëm aq. Edhe e ardhmja? Çfarë i priste? Ku do vendoseshin? Dhe ja vjen një ditë kur gjëndemi në mes tyre:

Rajoni Molise, Vendosja e Bustit të Skënderbeut, gusht 2013

Para tre vjetësh, bashkë me zonjën time dhe familjen e një vajze shqiptare, atë kohë diplomate e Shqipërisë në Londër, e shquar për patriotizimin e saj, zonjën Xhoana Papakostandini, të shoqin Serxhion dhe vajzën tre vjeçare Anjën, vajtëm për të dhuruar dhe inaguruar Bustin e Skënderbeut në një fshat arbëresh, në Rajonin Molise, në fshatin Munxhufuni.

Ai fshat është një prej 52 fshatrave arbëreshe të Italisë Jugore. Si dhe fshatrat tjera, banorët e atyshëm arbëreshë i kanë ruajtur në mënyrë shembullore gjuhën, traditat dhe zakonet shqiptare deri në ditët e sotme. Ky bust u vendos pas një kërkese që arbëreshja e atij fshati me banim në Londër, Maria Vittoria D’Inzeo, i bëri Ambasadës Shqiptare për ta ndihmuar në vendosjen e një busti të Skënderbeut në fshatin e saj, Munxhufuni[5]. Kjo ide asaj i lindi pas pjesmarrjes në ceremoninë e organizuar për inagurimin e bustit të Skënderbeut në Londër, me datën 28 nëntor 2012.

Autoritetet vendore arbëreshe kishin prej kohësh vullnetin për të vendosur një bust, monument apo statujë të heroit në sheshin e fshatit që mbante emrin “Skënderbeg”, që prej 200 vjetësh. Emri i sheshit ishte i shkruar në shqip dhe italisht, pa patur një bust aty. Kjo gjë u realizua në sajë të punës monumentale që bëri skulptori i njohur Kreshnik Xhiku si dhe falë sponsorizimit nga ana e pronarëve të firmës shqiptare “Kastrati”, zotërinjtë Shefqet dhe Leonard Kastrati. Vendosja e atij busti shënonte një ngjarje shumë të rëndësishme për ruajtjen e identitetit të arbëreshëve jo vetëm në zonën arbëreshe të Molises por edhe në tërë Italinë. Organizimi i vendosjes së tij ishte tërësisht iniciativë atdhetare.

Në ato ditë patëm rastin të ndiqnim një spektakël të edicionit të XV, të organizuar nga shoqata kulturore e Munxhufunit, “Equites Sancti Millenni” me pjesëmarrës nga fshatrat Munxhufuni, Sant’Elia a Pianisi, San Martino in Pensilis, Colletorto, Providenti, Ururi, Monte Castello, Maschito, Corinaldo, Campomarino. Pas një rrëfimi për historinë e heroit tonë kombëtar, spektakli vazhdoi me tamburet e ritmet mesjetare të fshatit arbëresh Maschito në krahinën e Basilikatës. Më pas ndoqëm në gjuhën arbëreshe shfaqjen e komedisë “Tjetri Shekull”, me autor arbëreshin Guido Tartaglione.

Arbëreshja piktore Liliana Corfiati[6] dhe Ibrahim Kodra

Me atë rast ne ndoqëm hapjen e ekspozitës së piktorit tonë të njohur Ibrahim Kodra organizuar nën kujdesin e piktores arbëreshe dhe mikes së artistit, Liliana Corfiati. Ajo kishte në koleksionin e saj rreth 20 punime origjinale të Kodrës, të dhuruara asaj nga vetë autori. Ato u ekspozuan në mjediset e Pallatit historik “Norante” në Campomarino.

Piktorja Corfiati është autore e dhjetra pikturave murale në Campomarino, Ururi, Portocannone, Montecilfone, të cilat paraqesin momente të jetës arbëreshe në Itali, eksodin e tyre, personazhe historike, biblike dhe mitologjike si dhe afreska dekorative. Do të kalonin plot tre vjetë deri në vizitën e këtyre ditëve në fshatrat e tjera arbëreshe, tanimë në Rajonin e Kalabrisë. /vijon/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet